Kjo broshurë jepet për t'ju ndihmuar t'iu përgjigjeni disa prej pyetjeve që ju dhe familja juaj mund të keni në lidhje me induktimin e lindjes dhe për t'ju ndihmuar të merrni një vendim të informuar në lidhje me induktimin e lindjes.
Në të gjitha rastet, një mjek do t'ju shpjegojë procedurën dhe do t'iu përgjigjet pyetjeve që mund të keni.
Në shumicën e rasteve, për të gjithë procedurën ose një pjesë të saj do të jetë e mundur që t'ju shoqërojë një mik ose i afërm. Ju lutemi, pyetni infermieren ose mjekun tuaj.
Çfarë është induktimi i lindjes?
Lindja është një proces i natyrshëm që zakonisht fillon vetë. Ndonjëherë lindja duhet të nxitet artificialisht dhe quhet "induktim i lindjes". Aktualisht rreth 20% të grave shtatzëna në MB ju nxitet procesi i lindjes.
Pse mund të më ofrohet induktimi?
Specialisti obstetër (mjek) ose mamia rekomandojnë induktim vetëm nëse është në dobinë tuaj dhe/ose të foshnjës. Ka disa arsye pse mund t'ju ofrohet induktim kur ujërat nuk kanë plasur.
Për të shmangur shtatzëninë e tejzgjatur
Arsyeja më e zakonshme për induktim është shmangia e shtatzënisë së tejzgjatur, e cila zgjat 42 javë ose më shumë.
Placenta është vendi ku gjatë shtatzënisë oksigjeni dhe ushqimi transferohen nga gjaku i nënës në gjakun e foshnjës. Në rastin e shtatzënisë së tejzgjatur ky proces mund të bëhet më pak i efektshëm dhe të çojë në lindje të pajetë të foshnjës, megjithëse rreziku i përgjithshëm i lindjes së pajetë mbetet i ulët. Induktimi i lindjes është rekomandim rutinë për të gjitha gratë midis 41 dhe 42 javësh, nëse procesi i lindjes nuk ju ka filluar natyrshëm.
Gra të moshës madhore
Ka disa prova që vërtetojnë se numri i lindjeve të pajeta rritet me rritjen e moshën së gruas: rreziku i lindjes së foshnjës të pajetë thuajse dyfishohet tek gratë në moshën 40 vjeç e sipër. Për këto gra rekomandohet induktimi i lindjes ndërmjet javëve 39-40 të shtatzënisë. Këtë do ta diskutojmë me ju hollësisht në klinikën antenatale.
Nëse ujërat plasin përpara dhimbjeve të lindjes
Kur ujërat rreth foshnjës suaj plasin para fillimit të dhimbjeve të lindjes, ju ofrohet induktim (nxitje) e dhimbjeve të lindjes. Ne ofrojmë mundësinë të filloni nxitjen e dhimbjeve të lindjes sa më shpejt të jetë e mundur ose të prisni deri në 24 orë që lindja të fillojë natyrshëm.
Pas diskutimit me mjekun tuaj, ju mund të vendosni vetë që të prisni që dhimbjet e lindjes të fillojnë natyrshëm. Në këtë rast, ne do t'ju rekomandonim të merrni antibiotikë brenda 18-24 orëve pas plasjes së ujërave, pasi ata zvogëlojnë rrezikun e infeksionit për ju dhe për foshnjën tuaj. Gjatë kësaj kohe, ne do të monitorojmë rrahjet e zemrës së foshnjës suaj dhe do t'ju vëzhgojmë ju për shenja infeksioni.
Nëse vendosni që të prisni që lindja të fillojë natyrshëm dhe të ktheheni në shtëpi, ju këshillojmë që në shtëpi çdo katër orë të monitoroni temperaturën dhe ngjyrën e lëngut që rrjedh. Nëse ngjyra e ujërave shoqërohet me një erë të pakëndshme ose nëse temperatura juaj rritet mbi 37,5 °C, kontaktoni menjëherë me spitalin.
Nëse jeni bartës i streptokokut të grupit B
Nëse dihet se jeni bartës i streptokokut të grupit B, ju rekomandojmë që të fillojmë procesin e induktimit të lindjes sa më shpejt të jetë e mundur. Mjeku juaj do ta diskutojë këtë gjë hollësisht me ju.
Shqetësimet e mirëqenies
Nëse ju ose mirëqenia e foshnjës suaj ngre shqetësim, atëherë lindja e foshnjës mund të jetë e dobishme në rrethana të caktuara si në rast diabeti, presioni të lartë të gjakut, problemesh të rritjes së foshnjës dhe sëmundje të tjera.
Çfarë është shkëputja e membranave?
Në javën e 39-të, në takimin tuaj para lindjes ju ofrohet shërbimi për shkëputjen e membranave për t'ju ndihmuar të filloni lindjen në mënyrë natyrale dhe për të zvogëluar nevojën për induktim të lindjes. Shkëputja kryhet nga mjeku obstetër ose mamia juaj, që vendos një gisht në qafën e mitrës suaj dhe bën një lëvizje rrethore, gjithëpërfshirëse për të shkëputur membranat që rrethojnë foshnjën tuaj dhe nëse kjo nuk është e mundur atëherë i bën masazhe qafës së mitrës.
Nëse pas kësaj lindja nuk fillon, mund të kërkoni të kryhet sërish shkëputja e membranave. Kjo nuk ju shkakton ndonjë dëm juve ose foshnjës, megjithëse mund të jetë e sikletshme dhe të shkaktojë dhimbje ose gjakderdhje. Mund të nxitë prodhimin natyral të hormoneve, të cilat mund të zbutin qafën e mitrës dhe me kalimin e kohës mund të nxitin edhe lindjen aktive.
Shkëputja e membranave mund të ofrohet të kryhet përpara datës të induktimit të lindjes tuaj, pas diskutimit me mjekun tuaj.
Cilat janë rreziqet apo anët negative të induktimit të lindjes?
Induktimi nxit lindjen përpara se trupi juaj të jetë gati për lindje. Prandaj, në krahasim me lindjen natyrale, disa ndërhyrje janë më të zakonshme.
Ju mund të përjetoni:
- Rritje të kohëzgjatjes së lindjes.
- Rritje të nevojës për qetësues për dhimbjet ku përfshihetdhe injektimi me epidural.
- Rritje të nevojës për një lindje instrumentale.
- Rritje të nevojës për prerje cezariane tek nënat që lindin për herë të parë.
Nëse induktimi bëhet me pesarin Propess (pajisje që vihet në vaginë për pjekjen e qafës së mitrës), kjo mund të shkaktojë kontraktime të shumta ose të zgjatura, Kjo mund të ul furnizimin me oksigjen të foshnjës dhe t’i ulë rrahjet e zemrës, megjithatë kjo ndodh shumë rrallë (më pak se 1% të lindjeve). Nëse ndodh, ka ilaçe në dispozicion për të ndaluar kontraktimet.
Në rastet kur induktimi bëhet me tullumbace për pjekjen e qafës së mitrës, është vënë re se rreziku i të paturit të kontraktimeve më të shumta ose me të tejzgjatura bie ndjeshëm.
Nëse ju vendosin një tullumbace për pjekjen e qafës së mitrës, ka më shumë gjasa të keni lindje vaginale sesa të lindni me prerje cezariane urgjente dhe të zvogëlohet kohëzgjatja e qëndrimit tuaj në spital.
Nëse procesi i induktimit të lindjes nuk funksionon, do të diskutojmë me ju opsione të tjera, njëra prej të cilave është lindja me prerje cezariane. Induktimi i lindjes rekomandohet vetëm nëse ka më shumë përfitime sesa rreziqe.
Çfarë ndodh nëse duhet të induktohem?
Mamia ose mjeku obstetër do t'ju shpjegojë me hollësi arsyet pse e rekomandojnë induktimin e lindjes. Është e rëndësishme që të kuptoni procesin e induktimit të lindjes dhe të bëni pyetjet që mund të keni.
Vlerësimi juaj do të përfshijë ekzaminim e barkut për të parë se si është i pozicionuar foshnja në mitrën tuaj dhe dëgjimin e rrahjeve të zemrës së foshnjës suaj. Pas kësaj, me shumë mundësi do t'ju ofrohet një ekzaminim i brendshëm për të vlerësuar qafën e mitrës suaj për të kryer shkëputjen e membranave. Më pas do t’ju caktojmë datën e induktimit të lindjes.
Sa duhet të zgjatë induktimi i lindjes?
Është i ndryshëm për çdo grua shtatzënë dhe varet nga sa gati janë qafa e mitrës dhe foshnja juaj për lindje. Në përgjithësi, nëse kjo është shtatëzania juaj e parë (nuk keni lindur më parë) dhe qafa e mitrës nuk është gati (e mbyllur dhe e vështirë), mund të duhen deri në katër ditë nga fillimi i induktimit të lindjes deri në lindjen e foshnjës.
Si do të induktohem?
Tullumbace për pjekjen e qafës së mitrës
Një tullumbace për pjekjen e qafës së mitrës është zgjedhja e parë si agjent i induktimit të lindjes në Royal Free London. Qafa e mitrës duhet të hapet me një tullumbace për pjekjen e qafës së mitrës për të vijuar me induktimin e lindjes.
Pse një tullumbace për pjekjen e qafës së mitrës është agjenti ynë i parë?
- Nuk përfshin mjekim.
- Është më e sigurt për ju dhe foshnjën sepse nuk shkakton kontraktimin e tepërt të mitrë tuaj.
- Rrit shanset për të pasur një lindje vaginale.
- Zvogëlohet kohëzgjatja e qëndrimit tuaj në spital.
Kateteri për pjekjen e qafës së mitrës lejon që qafa e mitrës të zgjerohet mekanikisht, duke lejuar që të ndodhë shkëputja artificiale e membranave tuaja. Efektet anësore janë minimale dhe nuk ka nevojë që t’ju monitorojnë aq nga afër si në rastin kur përdoret një metodë mjekësore.
Procedura përfshin një kateter (një tub i butë silikoni) që futet në qafën e mitrës. Ka dy tullumbace pranë majës dhe pasi janë vendosur aty ku duhet mbushen me një lëng steril fiziologjik (ujë me kripë). Një tullumbace do të vendoset sipër dhe poshtë qafës së mitrës, duke ushtruar një presion të lehtë.
Kateteri qëndron aty për 12 orë, me tullumbacet që ushtrojnë presion të lehtë në qafën e mitrës. Presioni duhet të zbusë dhe të hapë mjaftueshëm qafën e mitrës për të filluar lindjen ose për të mundësuar plasjen e ujërave rreth foshnjës. Kateteri me tullumbace mund të bjerë vetë ose e heq mamia 12 orë më vonë.
Ndërsa tullumbacja është në vend, ju mund t’i bëni gjërat si zakonisht, për shembull, të bëni dush, të laheni në vaskë ose të ecni. Pasi të keni përdorur tualetin, ju lutemi të lani duart, sigurohuni që kateteri të jetë i pastër dhe ndërroni rregullisht të brendshmet.
Ju lutemi, raportojini mamisë nëse vini re ndonjë nga shenjat në vijim:
- Vështirësi në urinim
- Gjakderdhje
- Kontraktime
- Shqetësime për lëvizjet e foshnjës
- Ndiheni keq
- Plasja e ujërave rreth foshnjës
- Rënia e tullumbaces.
Pesari me prostaglandinë
Ne përdorim një pesar me prostaglandinë i cili është një hormon prostaglandine me çlirim të ngadaltë, që pasi futet në vaginën tuaj funksionon për 24 orë. Ai përgatit për lindje qafën e mitrës. Gjatë këtij procesi ju mund të keni edhe kontraktime.
Pasi futet pesari me prostaglandinë:
- Mund të filloni lindjen dhe qafa e mitrës suaj mund të fillojë të hapet. Nëse ndodh kjo, ne do të heqim pesarin.
- Ujërat mund të plasin edhe kur lindja nuk ka filluar. Në këtë rast, do t'ju duhet një serum me tretësirë oksitocine për të filluar kontraktimet. Pesari me prostaglandinë mund të lihet brenda ndërsa jeni duke pritur për vendosjen e vigonit.
- Qafa e mitrës do të zbutet dhe shkurtohet, por lindja mund të mos ketë filluar. Nëse ndodh kjo, ujërat tuaja do të duhet të plasin dhe më pas do t'ju duhet një serum me tretësirë oksitocine për të filluar kontraktimet.
Ne do t'ju këshillojmë që ta mbani brenda pesarin për 24 orë. Mund të duhet që ai të hiqet nëse:
- jeni vërtet në fazë lindjeje (e rregullt, tre ose katër kontraktime çdo dhjetë minuta dhe qafa e mitrës është hapur tre centimetra ose më shumë)
- keni shumë kontraktime (pesë ose më shumë kontraktime çdo dhjetë minuta) • keni kontraktime shumë të gjata (një kontraktim zgjat rreth dy minuta)
- rrahjet e zemrës së foshnjës suaj nuk janë më normale.
- ju fillon gjakderdhja - është normale që të dalë një sasi e vogël gjaku me pak sekrecione nga mukozat pas një ekzaminimi të brendshëm.
Çarja artificiale e membranave
Kjo njihet edhe si “plasja e ujërave” dhe mund të përdoret nëse qafa e mitrës ka filluar të piqet. Në membrana bëhet një vrimë e vogël duke përdorur një instrument plastik të hollë steril gjatë një ekzaminimi të brendshëm të kryer nga mamia ose mjeku obstetër. Çarja e membranave duhet të nxitë kontraktime më të efektshme.
Përdorimi i oksitocinës
Ndonjëherë prostaglandina dhe/ose plasja e ujërave janë të mjaftueshme për të filluar lindjen, por shumë gra kanë nevojë për hormonin e oksitocinës. Ky ilaç jepet përmes një vigoni në një venë ne krah. Ai shkakton kontraktimin e mitrës dhe zakonisht përdoret pasi të jenë çarë membranat në mënyrë natyrale ose artificiale. Doza mund të rregullohet në varësi të ecurisë së lindjes. Qëllimi është që mitra të kontraktohet rregullisht deri në lindje.
Kur përdoret kjo metodë induktimi, këshillohet që të monitoroni vazhdimisht rrahjet e zemrës së foshnjës duke përdorur një aparat kardiotokograf. Me këtë lloj induktimi kontraktimet mund të ndihen si mjaft të forta: mamia do t'ju pyesë se si po e përballoni dhe do t'ju tregojë metoda të ndryshme të menaxhimit të dhimbjes.
A mund të më bëhet induktimi dhe të lind në shtëpi apo duhet të shkoj në qendrën e lindjes?
Nëse lindja juaj është me induktim, nuk mund ta kryeni lindjen e foshnjës në shtëpi. Nëse nuk jeni në shtatzëninë tuaj të parë dhe filloni lindjen me tullumbacen për pjekjen e qafës së mitrës ose pesarin, mund ta lindni foshnjën tuaj në qendrën e lindjes. Kjo është njësia jonë e udhëhequr nga mamitë dhe ju duhet të jeni brenda kritereve të saj.
Çfarë ndodh nëse induktimi nuk funksionon?
Nëse pas induktimit nuk fillon faza e lindjes, mamia dhe mjeku obstetër do të diskutojnë me ju opsionet dhe do t'ju kontrollojnë me detaje ju dhe foshnjën tuaj. Kjo ndodh me rreth 5-10% të grave të induktuara. Në varësi të dëshirave dhe rrethanave tuaja, ne mund të sugjerojmë:
- Një metodë tjetër induktimi të lindjes
- Shtyrjen e induktimit për lindje për një datë të mëvonshme nëse rrethanat e lejojnë
- Lindjen me prerje cezariane
A mund të zgjedh të mos induktohem?
Mjeku juaj obstetër do t'ju shpjegojë me hollësi arsyet pse rekomandojnë induktimin e lindjes. Megjithatë, nëse nuk dëshironi të induktoheni, duhet të njoftoni maminë ose mjekun obstetër.
Më pas do t'ju kërkojmë të vini në spital për monitorim në mënyrë që të mund t'ju kontrollojmë ju dhe foshnjën tuaj. Ne do të kontrollojmë rrahjet e zemrës së foshnjës me një aparat kardiotokograf dhe bëjmë një skanim për të kontrolluar ujërat rreth foshnjës suaj. Shpeshtësia e vajtjes suaj në spital për monitorim varet nga situata juaj dhe këtë do ta diskutojnë me ju mamia dhe mjeku obstetër.
Ju lutemi, duhet të keni parasysh se këto metoda nuk janë shumë të besueshme për të na treguar se cilat shtatzëni janë në rrezik të lartë për lindje të pajetë. Për shkak të këtyre kufizimeve, ne ofrojmë induktimin e lindjes për të gjitha shtatzënitë para javës së 42-të (dy javë pas datës së pritshme të lindjes).
Pse mund të vonohet induktimi im?
Ne e kuptojmë se kur induktimi juaj vonohet, mund të ndiheni e shqetësuar dhe të mërziteni. Megjithatë, mamia ose mjeku obstetër do t'ju japë siguri dhe do të përpiqet t'ju mbajë të informuar rreth procedurës për induktimin tuaj. Procedura varet nga rrethanat tuaja individuale dhe ato të repartit të lindjes.
Induktimi juaj i lindjes mund të vonohet nëse të gjitha mamitë janë të zëna me kujdesin për pacientët e tjerë dhe/ose nuk ka shtrat në dispozicion. Lindja është e paparashikueshme dhe ne kemi raste emergjence 24 orë në ditë.
Ne, si mami dhe obstetër, kemi përgjegjësinë të kujdesemi për nënat dhe foshnjat në njësinë tonë dhe të sigurojmë lindje të sigurta. Kjo mund të ndikojë në planin për induktimin tuaj të lindjes, duke vonuar fillimin e induktimit tuaj ose duke vonuar procesin e tij nëse ai tashmë ka filluar. Nëse jeni e pakënaqur, ju lutemi, kërkoni të flitni me maminë përgjegjëse të turnit.
Procedura për induktimin e lindjes në spital e Barnet
Ne do t'ju caktojmë një datë për të ardhur në spital. Mamia juaj do t'ju informojë se ku do t’ju bëhet induktimi dhe nëse shtatzënia juaj është me rrezik të lartë apo të ulët.
Nëse shtatzënia juaj është identifikuar si rrezik i shtuar ose i lartë, duhet t’i telefononi repartit Victoria në orën 6 të mëngjesit në ditën e induktimit të planifikuar për ju dhe të kërkoni të flitni me udhëheqësin e ekipit. Ata do të jenë në gjendje t'ju caktojnë një orar për të ardhur në repartin Victoria. Gjatë fillimit të lindjes, do të merrni kujdes në repartin Victoria.
Nëse shtatzënia juaj është identifikuar si me rrezik të ulët, atëherë do të jeni e përshtatshme për pavionin normal te induktimeve. Ju do të duhet të arrini në njësinë ditore të lindjes në orarin që ju është caktuar. Nëse gjithçka është mirë dhe jetoni afër spitalit (jo më shumë se një orë kohë udhëtimi) mund t'ju lënë të shkoni në shtëpi.
Nëse shkoni në shtëpi
Një mami do t'ju telefonojë në shtëpi 12 orë pas fillimit të induktimit për t’ju pyetur se si jeni. Ne do t'ju kërkojmë që të ktheheni për vlerësim pas 24 orësh nëse jua kanë nisur induktimin përmes pesarit Propess dhe pas pas 12 orësh nëse induktimi juaj është nisur nëpërmjet tullumbaces për pjekjen e qafës së mitrës.
Ju duhet të lidheni me ekipin e triazhit në numrin: 0208 216 4408 nëse:
- Kontraktimet bëhen të dhimbshme ose të rregullta (çdo pesë minuta)
- Keni gjakderdhje vaginale
- Ka ndryshime në lëvizjet e foshnjës ose lëvizjet rrallohen • Bie pesari
- Keni shqetësime të tjera.
Nëse ju plasin ujërat dhe kjo vërtetohet kur të vini në spital, do të shtroheni në repartin e maternitetit.
Do t'ju tregohet se si të hiqni pesarin në rast gjakderdhjeje vaginale ose kontraktimesh të tepruara të dhimbshme. Në këtë rast duhet gjithashtu të lidheni menjëherë me ekipin e triazhit.
Procedura për induktimin e lindjes në Royal Free Hospital
Ne do t'ju caktojmë një datë dhe një orë për të ardhur në spital. Në ditën e takimit tuaj, ju do të paraqiteni në njësinë e vlerësimit ditor (DAU).
Nëse shtatzënia juaj është identifikuar si me rrezik të ulët, atëherë do të jeni e përshtatshme për shtrim në pavionin normal të pacientëve për induktim.
Nëse shtatzënia juaj është me rrezik të lartë, do të shtroheni në repartin antenatal.
Nëse shkoni në shtëpi
Ne do t'ju kërkojmë që të ktheheni për vlerësim pas 24 orësh nëse jua kanë nisur induktimin përmes pesarit Propess dhe pas pas 12 orësh nëse induktimi juaj është nisur nëpërmjet tullumbaces për pjekjen e qafës së mitrës.
Ju duhet të kontaktoni me njësinë e vlerësimit ditor (DAU) ose repartin e lindjes nëse:
- Kontraktimet bëhen të dhembshme ose të rregullta (çdo pesë minuta)
- Keni gjakderdhje vaginale
- Ka ndryshime në lëvizjet e foshnjës ose lëvizjet rrallohen • Bie pesari
- Keni shqetësime të tjera.
Nëse ju plasin ujërat dhe kjo vërtetohet kur të vini në spital, do të shtroheni në repartin e maternitetit.
Pyetje apo shqetësime të tjera?
Mamia dhe mjeku obstetër me kënaqësi do të flasin me ju dhe partnerin tuaj për çdo shqetësim në lidhje me procesin e induktimit.
Shtojca 1
Të shkuarit në shtëpi pas kateterit me tullumbace për pjekjen e qafës së mitrës
Për t'u siguruar që është e sigurt që t'ju lejojmë të shkoni në shtëpi pas vendosjes së tullumbaces për pjekjen e qafës së mitrës, duhet të sigurohemi që:
- Keni akses në një telefon.
- Kuptoni mirë gjuhën angleze.
- Keni dikë që do të qëndrojë me ju në shtëpi.
- Keni akses transporti.
Ju lutemi që 24 orë pas vendosjes së tullumbaces për pjekjen e qafës së mitrës të ktheheni në njësinë ditore të lindjes/repartin e Victoria-s (fshini sipas nevojës) në:
Data: |
Ora: |
---|---|
|
__ . __ paradite/pasdite |
Gjatë kohës që jeni në shtëpi, ju mund t’i bëni gjërat si zakonisht, për shembull të bëni dush, të laheni në vaskë dhe të ecni. Megjithatë, ju lutemi, shmangni marrëdhëniet seksuale.
Nëse keni:
- Gjakderdhje
- Kontraktime
- Shqetësime për lëvizjet e foshnjës
Ose nëse:
- Nuk ndiheni mirë
- Plasin ujërat rreth foshnjës
- Bie tullumbacja
- Keni shqetësime te tjera
Ju duhet t’i telefononi ekipit të triazhit në Barnet në numrin: 0208 216 4408 (24 orë në ditë) ose ekipit të triazhit në Royal Free Hospital në: 020 7794 0500 zgjatimi 36208 (24 orë në ditë)
Një mami do të bëjë një vlerësim përmes telefonit dhe do t'ju këshillojë se çfarë duhet të bëni.
Fletëpalosja informative rreth induktimit të lindjes është dhënë.