Informacion për gratë, njerëzit që lindin dhe familjet.

Faza e hapjes së mitrës është një proces i natyrshëm që zakonisht fillon midis javës së 37-të dhe 42 dhe rezulton në lindjen e foshnjës tuaj.

Gjatë shtatzënisë, fëmija juaj është i rrethuar nga një membranë e mbushur me lëng (qeskë), e cila mbron fëmijën tuaj ndërkohë që rritet brenda mitrës. Lëngu brenda membranës quhet lëng amniotik (ujërat tuaja).

Në fund të shtatzënisë, cerviksi (qafa e mitrës) zbutet dhe shkurtohet. Kjo quhet "pjekja e qafës së mitrës". Ky proces mund të ndodhë gjatë disa ditëve ose javëve.

Përpara, ose zakonisht gjatë lindjes, qeska e lëngut amniotik çahet. Kjo njihet si "plasja e ujërave". Megjithatë, ndonjëherë fëmija lind brenda qeskës!

Në fillim të lindjes, kontraktimet zakonisht fillojnë të lehta dhe më pas bëhen më të forta dhe të rregullta për të hapur (zgjeruar) qafën e mitrës.

Lindja e hershme ose "faza latente" është kur keni kontraktime të cilat fillojnë dhe ndalojnë vazhdimisht. Kjo mund të vazhdojë për një ose dy ditë dhe mund të jetë zhgënjyese! Ju mund të telefononi për të folur me një mami nëse keni nevojë për ndihmë ose këshilla ose të paraqiteni nëse jeni të shqetësuar për lëvizjet e foshnjës tuaj.

Pasi qafa e mitrës tuaj është e hapur 4 cm, kontraktimet do të jenë të forta dhe të rregullta dhe fëmija juaj zakonisht do të lindë brenda 6-18 orëve, akoma dhe më shpejt për gratë që kanë pasur një lindje vaginale në të kaluarën. Mitra kontraktohet për ta shtyrë fëmijën tuaj poshtë dhe jashtë vaginës.

Çfarë është induksioni i lindjes?

Induksioni i lindjes do të thotë të filloni lindjen tuaj ne mënyrë artificiale. Rreth 30% e grave në MB kanë përjetuar një induksion.

Induksioni i lindjes mund të rekomandohet dhe ofrohet

për të reduktuar mundësinë e lindjes së foshnjës të vdekur brenda mitrës, nëse shtatzënia juaj zgjat më shumë se 41 javë;

  • për sëmundje të tilla si diabeti ose presioni i lartë i gjakut;
  • për problemet me zhvillimin e foshnjës ose për një foshnje me përmasa të vogla;
  • nëse lëvizjet e foshnjës janë rralluar;
  • për të parandaluar infeksionin nëse ujërat tuaja kanë plasur, por akoma nuk ka filluar faza e hapjes së mitrës.

Nëse shtatzënia juaj ka qenë e drejtpërdrejtë, do t'ju ofrohet induksion nëse akoma nuk ka filluar faza e hapjes së mitrës në javën e 41-42. Kjo është për shkak se rreziku i mundësisë së lindjes të foshnjës të vdekur brenda mitrës rritet me kalimin e kohës dhe induksioni rreth javës së 41 mund ta zvogëlojë këtë rrezik.

Cilësia e provave nëse ka një rritje të rrezikut në këto situata dhe në rast se ka, ndikimi i induksionit në zvogëlimin e ketij rreziku mund të variojë, megjithatë informacioni që përdoret më së shpeshti si udhërrëfyes, është ai i një rishikimi të fundit (2019) në

Mbretërinë e Bashkuar të normave të lindjes së foshnjave të vdekura brenda mitrës nga 15 milionë lindje. Kjo tregon se rreziku i përgjithshëm i lindjes së foshnjës të vdekur brenda mitrës në çdo 1000 lindje është

  • në javën e 40-të, 1 në 1000 ose një mundësi prej 0.1%
  • në javën e 41, 1.8 në 1000 ose një mundësi prej 0.2%
  • në javën e 42, 3.0 në 1000 ose një mundësi prej 0.3%
  • në javën e 43, 6.5 në 1000 ose një mundësi prej 0.7%

Edhe pse shkalla e lindjes së foshnjës të vdekur brenda mitrës rritet nga java e 40-të në javën e 43, rreziku mbetet shumë i ulët. Rreziku i vdekjes së foshnjës pas lindjes (vdekja neonatale) gjithashtu mbetet shumë i ulët.

Ju lutemi, vini re se ka ndryshime në numrin e lindjeve të foshnjave të vdekura brenda mitrës, në varësi të grupeve etnike. Gratë me prejardhje të zezë dhe aziatike kanë një mundësi më të lartë për lindjen e foshnjave të vdekura brenda mitrës në krahasim me gratë me prejardhje të bardhë. Flisni me maminë ose mjekun tuaj nëse dëshironi ta diskutoni këtë.

Mund ta keni më të lehtë nëse shikoni piktogramet e mësipërme. Ka 1000 pika në çdo katror, pikat e kuqe përfaqësojnë lindjen e foshnjave të vdekura brenda mitrës.

Arsyeja e induksionit do të diskutohet me ju në mënyrë individuale duke përfshirë avantazhet kundrejt rreziqeve.

Marrja e vendimeve

Është vendimi juaj nëse doni të keni një induksion apo jo. Ju mund të zgjidhni atë që mendoni se është e duhur për ju dhe fëmijën tuaj.

Kur ju duhet të merrni një vendim për kujdesin tuaj, sipas ligjit mjeku ose mamia juaj është e detyruar t'ju japë të gjithë informacionin që ju nevojitet për t'ju ndihmuar të merrni vendimin e duhur për ju. Ky është pëlqimi i informuar.

Nëse vendosni të mos kryeni induksionin e lindjes, bisedoni me maminë ose mjekun tuaj për opsionet alternative. Opsionet mund të përfshijnë ekografi dhe monitorime shtesë. Ju gjithashtu mund të kërkoni që të referoheni tek mamia konsulente.

BRAIN mund t'ju ndihmojë të bëni

  • B = cilat janë avantazhet?
  • R = cilat janë rreziqet?
  • A = cilat janë alternativat?
  • I = Çfarë ju thotë intuita apo ndjenja juaj e brendshme?
  • N = Çfarë ndodh nëse nuk bëjmë asgjë për momentin?

A mund të presim dhe të marrim pak kohë për të menduar?

Avantazhet e induksionit të lindjes

mund të zvogëlojë mundësinë e lindjes së foshnjave të vdekura brenda mitrës dhe probleme të tjera të mundshme siç u diskutua më sipër.

Induksioni i lindjes rreth javës 41 rrit mundësitë që ju të keni një lindje vaginale dhe zakonisht nuk shoqërohet me rritje të mundësisë për lindje me operacion cezarian.

Rreziqet e induksionit të lindjes

Nëse kryeni induksionin e lindjes, mund të kufizohet mundësia juaj për zgjedhjen e vendit të lindjes.

Mund t'ju rekomandohen disa lloje ndërhyrjesh (për shembull, infuzioni i Syntocinon (pikimi i hormonit), monitorim i vazhdueshëm i rrahjeve të zemrës së fetusit (bebit) dhe epidurali që nuk janë të disponueshme për një lindje në shtëpi ose në një qendër lindjeje të udhëhequr nga mami.

Mund të keni më pak gjasa që të jeni në gjendje të përdorni mënyrën e lindjes në pishinë.

Mund të keni më shumë gjasa që të keni nevojë për një lindje vaginale të asistuar (duke përdorur pincë ose ventouse), e cila ka një rrezik në rritje të çarjes së konsiderueshme perineale (lëndim obstetrik të sfinkterit anal)

Një lindje e detyruar mund të jetë më e dhimbshme se një lindje natyrale.

Qëndrimi juaj në spital mund të jetë më i gjatë se sa me një lindje natyrale.

Ju do të keni më shumë ekzaminime vaginale.

Ju keni vendosur të keni një induksion.... Çfarë ndodh më pas?

Zakonisht ka tre faza për induksionin e lindjes

Induksioni i lindjes ndodh në tre faza; shumica e grave kanë nevojë për të tre fazat që të mund të lindin. Kjo është veçanërisht e vërtetë gjatë lindjes së foshnjave të para.

Procesi i induksionit duhet të ndodhë gradualisht, kështu që është e zakonshme që induksioni i lindjes të zgjasë dy ose tre ditë nga fillimi i induksionit deri në lindjen e foshnjës tuaj.

Sigurohuni që jeni të përgatitur për një proces potencialisht të gjatë! Mund të merrni me vete libra, revista si edhe të dëgjoni muzikë me kufje.

Do ju ofrohet ushqim, por ju mund të sillni vakte të lehta dhe pije. (Nuk ofrohet ushqim për partnerët). Ju gjithashtu mund të sillni jastëkun tuaj ose komoditete të tjera nga shtëpia.

Partneri juaj mund të qëndrojë me ju gjatë gjithë kohës së lindjes.

Tri fazat janë

1. Faza e parë e induksionit: Cerviksi (qafa e mitrës) duhet të zbutet dhe të hapet 1-2 cm. Kjo quhet "pjekja e qafës së mitrës".

2. Faza e dytë e induksionit: Plasja e ujrave që ndodhen para kokës së foshnjës.
(këputje artificiale e membranave)

3. Faza e tretë e induksionit: Pikimi i hormonit të quajtur Syntocinon fillon stimulimin e kontraktimeve

1) Faza e parë e induksionit Pjekja e qafës së mitrës

Ka dy metoda që mund të përdoren për pjekjen e qafës së mitrës:

Mekanike jo-hormonale (i futur në qafën e mitrës), Dilapan zakonisht përdoret në North Mid, por mund të përdoret edhe një "tullumbace"

Farmakologjike (hormon) i vendosur lart në vaginë pranë qafës së mitrës

Një mami ose mjek do t'ju ekzaminojë dhe do t'ju rekomandojë se cila metodë mund të jetë më e mirë për ju.

Në North Mid, ne zakonisht ofrojmë një metodë mekanike, Dilapan si zgjedhjen e parë.

  Avantazhet Rreziqet
Dilapan Mekanike (johormonale)
  • Hapi i parë efektiv për hapjen e qafës së mitrës në
  • 1-2 cm
  • Nuk ka rrezik për shumë kontraktime
  • Mund të lëvizë lirshëm
  • Mund të shkojë në shtëpi
  • I sigurt për t'u përdorur për lindje vaginale pas
  • lindjes cezariane
  • Më e sigurt për t'u përdorur për një fëmijë me përmasa të vogla

Mund të jetë e pakëndshme për t'u futur (gjatë procesit të futjes mund të mundësohen lehtësues të dhimbjeve).

Propess

 

Farmakologjike

(hormonet)

 

Procesi i lehtë për t'u futur

Mund të shkojë në shtëpi

Lëvizni si zakonisht

Mund të fillojë disa kontraktime

Disa gra mund të përjetojnë shumë

kontraktime (hiper stimuluese)

 

Kjo mund të shkaktojë ndryshime në rrahjet e zemrës së foshnjës. Kjo trajtohet duke hequr Propess dhe me mjekim.

Dilapan–S

Dilapan-S është një shufër e vogël që gradualisht rritet në madhësi dhe ndihmon në hapjen e qafës së mitrës. Dilapan-S thith lëngun nga indet e qafës së mitrës, gjë që ndihmon në zbutjen dhe hapjen e qafës së mitrës.

Kjo metodë nuk përmban substanca farmakologjike (ilaçe ose barna) dhe njihet si induksion mekanik.

Induksioni mekanik stimulon qafën e mitrës për lëshimin e hormoneve tuaja (prostaglandina) duke pjekur në mënyrë natyrale qafën e mitrës.

Qëllimi i Dilapan-S është të zgjerojë qafën e mitrës tuaj në mënyrë që uji përpara kokës së foshnjës të mund të largohet (plas).

Mamia ose mjeku do të përdorin një spekulum për të futur shufrat Dilapan brenda qafës së mitrës, kjo mund të jetë e pakëndshme dhe ju mund të merrni lehtësues dhimbjesh nëse keni nevojë. Gjatë 12-15 orëve të ardhshme shufrat zgjerohen butësisht për të hapur qafën e mitrës, dhe ju nuk do të jeni në gjendje ta ndjeni këtë. Ato mund të qëndrojnë në vend deri në 24 orë.

Heqja e Dilapan

Në takimin tjetër, mamia do të heqë Dilapan dhe do të vlerësojë gjendjen e qafës së mitrës. Nëse qafa e mitrës është e hapur, atëherë jeni gati për plasjen e ujrave. Do t'ju ofrohet një pastrim i membranës dhe do t'ju kërkohet të lëvizni deri në plasjen e ujrave (kjo duhet të ndodhë brenda 6 orëve).

Nëse qafa e mitrës nuk është hapur mjaftueshëm, atëherë do t'ju ofrohet përsëri Dilapan ose Propess (shikoni më poshtë).

Propess

Ky pesar vaginal lëshon hormone që ndihmojnë në pjekjen e qafës së mitrës. Ai vendoset lart në vaginë pranë qafës së mitrës. Është si një tampon i vogël i sheshtë. Një litar do të jetë i dukshëm në hapjen tuaj vaginale.

Ai qëndron brenda vaginës për 24 orë, dhe gjatë kësaj kohe mund të keni disa kontraktime.

Efektet anësore të zakonshme (mund të prekin afërsisht 1 në 10 persona)

Ndjesia e djegies në zonën gjenitale

Rritja e kontraktimeve të mitrës

Fëmija mund të shqetësohet dhe/ose rrahjet e zemrës mund të bëhen më të shpejta ose më të ngadalta se normalja (hiperstimulim).

Ne mund ta trajtojmë këtë duke hequr Propess dhe duke ju dhënë ilaçe për të ndaluar kontraktimet.

Heqja e Propess

Pas 24 orësh (nëse nuk ka arsye për ta bërë këtë më herët) Propess do të hiqet dhe do të vlerësohet gjendja e qafës së mitrës. Nëse qafa e mitrës është e hapur 1-2 cm, atëherë jeni gati për plasjen e ujrave.

Nëse qafa e mitrës nuk është ende e hapur pas dy raundeve të agjentëve të induksionit, bisedoni me ekipin për atë që dëshironi të bëni më pas.

Opsionet tuaja mund të përfshijnë vazhdimin me induksionin, kryerjen e një seksioni cezarian ose një pauzë nga induksioni.

2) Hapi i dytë i induksionit.

Plasja e ujrave

Kjo njihet si këputje artificiale e membranave. Bëhet një vrimë e vogël në qeskën me ujë që ndodhet përpara kokës së foshnjës. Kjo bëhet gjatë një ekzaminimi vaginal për të larguar lëngun amniotik. Mund të jetë e pakëndshme, kështu që njoftoni maminë ose mjekun tuaj nëse keni nevojë për lehtësues dhimbjesh. Procedura do të kryhet në repartin e lindjes. Pas largimin të ujrave, ju do të inkurajoheni të lëvizni. Nëse kontraktimet nuk fillojnë vetë, do t'ju ofrohet pikimi i hormonit (shikoni më poshtë)

Plasja e ujrave ose këputja artificiale e membranave

3) Hapi i tretë i induksionit Pikimi i hormonit

Nëse kontraktimet nuk fillojnë pas plasjes së ujrave, do t'ju ofrohet hormoni sintetik i oksitocinës (i quajtur Syntocinon).

Ai jepet përmes një kanule (tub plastik) që futet në venën tuaj. Pikimi i Syntocinon

do të fillojë shumë ngadalë dhe më pas do të shpejtohet derisa të keni kontraktime të forta dhe të rregullta. Mamia do të shtojë ose reduktojë Syntocinon për të arritur tre deri në katër kontraktime në dhjetë minuta.

Gjatë pikimit të hormonit, ne do ta monitorojmë nga afër fëmijën nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm elektronik të fetusit. Është e rëndësishme që ta bëjmë këtë pasi kontraktimet mund të shkaktojnë ndryshime në rrahjet e zemrës së foshnjës. Disa gra i shohin kontraktimet me Syntocinon më të vështira dhe më të dhimbshme sesa me lindjen natyrale. Diskutoni nevojat tuaja me maminë ose mjekun tuaj. Ju gjithashtu mund të vizitoni www.labourpains.org për të lexuar rreth opsioneve për lehtësimin e dhimbjeve.

Strategjitë e lehtësimit dhe përballimit të dhimbjeve

Ka shumë mënyra në të cilat gratë mund të përballen me ndjesitë e fuqishme të lindjes.

  • Paketa me nxehje

  • Teknikat e frymëmarrjes

  • Uji: pishinë, banjë ose dush

  • Gazi dhe Ajri (Entonox)

  • Injeksioni i opioidit (Pethidine)

  • Epidurali

Induksioni për pacientët e jashtëm

Nëse vlerësoheni si të përshtatshëm për një induksion si pacient i jashtëm, zakonisht do t'ju ofrohet Dilapan-S.

Do t'ju kërkohet të paraqiteni në departamentin e triazhit të maternitetit në Spitalin North Middlesex për një vlerësim fillestar të mirëqenies si për ju ashtu edhe për foshnjën tuaj.

Shufrat Dilapan-S do të futen duke përdorur një spekulum dhe më pas ju do të qëndroni në shtëpi për 12-15 orë me shufrat Dilapan-S brenda.

Nëse shtatzënia juaj ka komplikime që sugjerojnë se nuk rekomandohet induksioni i lindjes si pacient i jashtëm, ju do të ftoheni të qëndroni në spital për kontrolle shtesë.

Nëse dëshironi, ju gjithashtu mund të zgjidhni të qëndroni në spital.

Çfarë mund të pres nga procesi i induksionit të lindjes me Dilapan-S?

Pas pjesëmarrjes, një mami do të:

kryejë vëzhgime rutinë, duke përfshirë presionin e gjakut, pulsin dhe temperaturën dhe do t'ju kërkojë një mostër urine për të testuar;

prekë barkun tuaj për të kontrolluar pozicionin e foshnjës dhe nëse koka e foshnjës është në legen (e pozicionuar);

kryejë një ekografi për të kontrolluar nëse foshnja është me kokë poshtë;

vlerësojë mirëqenien e foshnjës duke përdorur monitorimin elektronik (Kardiotokograf).

Nëse gjithçka është në rregull për të vazhduar me induksionin, mamia ose mjeku do të kryejnë një ekzaminim vaginal për të ndjerë qafën e mitrës.

Nëse qafa e mitrës nuk është mjaftueshëm e hapur për plasjen e ujrave, atëherë në qafën e mitrës do të futen deri në pesë shufra Dilapan-S. Shufrat do të qëndrojnë atje për afërsisht 12-15 orë, por mund të qëndrojnë të sigurt brenda për 24 orë.

Kujdesi për pacientët e jashtëm

Nëse jeni duke kryer një induksion si pacient i jashtëm, atëherë do t'ju këshillohet të telefononi departamentin e triazhit të maternitetit në numrin 0208 8873682 12 orë pas futjes së Dilapan-S.

Më pas mamia do t'ju këshillojë se kur të vini.

Nëse përjetoni ndonjë nga simptomat e mëposhtme, ju lutemi, kontaktoni ose ejani në departamentin e triazhit të maternitetit.

Tel: 020 8887 3682

  • Nëse keni gjakderdhje vaginale
  • Nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me lëvizjet e foshnjës tuaj
  • Nëse ju kanë plasur ujrat
  • Nëse filloni të përjetoni kontraktime të rregullta
  • Nëse keni ndonjë shqetësim të përgjithshëm në lidhje me ju ose fëmijën tuaj

Ju lutemi, mos e hiqni vetë Dilapan-S.

Ju lutemi, shmangni larjen në vaskë, larjen vaginale dhe marrëdhëniet seksuale ndërkohë që Dilapan-S është brenda në vaginë. Mund të laheni në dush.

Kur të ktheheni në spital, mamia do të kontrollojë nëse qafa e mitrës është hapur mjaftueshëm për plasjen e ujrave.

Pasi qafa e mitrës tuaj të jetë zgjeruar mjaftueshëm për plasjen e ujrave, ju do të transferoheni në repartin e lindjes për të vazhduar induksionin e lindjes.

Kur membranat (qeskat e ujit) rreth fëmijës suaj plasin artificialisht, kjo mund të shkaktojë një rritje të hormoneve që mund të rezultojnë në fillimin e kontraktimeve. Ju do të inkurajoheni të lëvizni për 2-4 orë pas kësaj procedure për të stimuluar trupin tuaj që të lindë.

Nëse lindja ose kontraktimet nuk fillojnë pas plasjes së ujërave, ne do të ofrojmë infuzion intravenoz të hormonit (pikim), i cili do të shkaktojë kontraktime për disa orë. Ju dhe foshnja do të monitoroheni nga afër gjatë procesit.

Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutemi, mos hezitoni të pyesni maminë ose mjekun obstetër.